Politika e Privatësisë

Përditësuar më: 27 Tetor 2026 | Versioni 4.5

Shkurt

  • Mbledhim vetëm atë që i duhet platformës për të funksionuar: të dhënat e llogarisë, përmbajtjen që publikoni dhe disa të dhëna teknike, si adresa IP.
  • Nuk i shesim të dhënat tuaja dhe nuk ndërtojmë profil reklamash për ju.
  • Reklamat zgjidhen sipas shtetit nga e vizitoni platformën, jo sipas asaj që bëni në të.
  • Analitika punon vetëm me pëlqimin tuaj.
  • Mund t'i shkarkoni ose t'i fshini të dhënat tuaja në çdo kohë nga Paneli → Preferencat.
  • Disa biznese i njohim nga burime të hapura publike dhe nuk i shfaqim askund derisa pronari të marrë profilin (pika 2.6).

Më poshtë gjeni shpjegimin e plotë.

1. Kush Jemi

Bota Shqiptare e Biznesit ("BSB") operon platformën botashqiptarebiznesit.com. Jemi kontrolluesi i të dhënave personale që mbledhim dhe përpunojmë.

Veprimtaria jonë rregullohet nga ligji nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" të Republikës së Shqipërisë. Ky ligj është i përafruar plotësisht me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR — Rregullorja (BE) 2016/679), të cilën e zbatojmë gjithashtu për përdoruesit që ndodhen në BE/EEA.

Kur më poshtë përmendim një nen, referenca e parë i përket ligjit shqiptar dhe ajo në kllapa GDPR-së.

  • Email kontakti: contact@botashqiptarebiznesit.com

2. Çfarë të Dhënash Mbledhim

2.1 Të dhëna që na jepni

  • Emri, username, email, fjalëkalimi (i ruajtur i hash-uar)
  • Informacion biznesi: emri, kategoria, sektori, qyteti
  • Informacion profesional: specializimi, bio, eksperienca
  • Foto profili, logo, media të ngarkuara
  • Përmbajtje: postime, oferta, evente, vlerësime, mesazhe
  • Preferenca llogarie

2.2 Të dhëna automatike

  • Adresa IP (shih pikën 2.5)
  • Lloji i pajisjes, shfletuesi dhe sistemi operativ
  • Cookies thelbësore për funksionimin e platformës (shih Politikën e Cookies)
  • Me pëlqimin tuaj: shërbimi i analitikës, për të kuptuar si përdoret platforma
  • Me pëlqimin tuaj: matja jonë e vizitave — faqja e vizituar, sa qëndruat, lloji i pajisjes dhe nga erdhët, të lidhura me një numër të rastësishëm të ruajtur në shfletuesin tuaj. Ky numër nuk përmban emrin apo email-in tuaj dhe nuk lidhet me llogarinë tuaj. Shih Politikën e Cookies.
  • Pa pëlqim: numri i vizitave për çdo faqe, pa asnjë mënyrë për t'ju dalluar nga vizitorët e tjerë

2.3 Ndërveprimet me përmbajtjen

Kur hapni një ofertë, ruani një postim ose kontaktoni një biznes, e regjistrojmë atë veprim dhe ia tregojmë pronarit të asaj përmbajtjeje si numër statistikor.

Nëse jeni i kyçur, pronari i përmbajtjes mund ta shohë emrin tuaj te lista e vizitorëve dhe e veprimeve. Nëse nuk doni të identifikoheni, çaktivizoni opsionin "Lejo bizneset të shohin aktivitetin tim" te Paneli → Preferencat. Pas kësaj shfaqeni si "Vizitor anonim" dhe numëroheni vetëm si numër.

Baza ligjore është interesi legjitim: pa këtë matje, një biznes nuk do të dinte nëse shpallja e tij po funksionon. Mund të kundërshtoni sipas pikës 7.

2.4 Postimet anonime në komunitete

Disa komunitete lejojnë postime pa emër. Kur zgjidhni këtë opsion, emri, fotoja dhe profili juaj nuk shfaqen te askush — as te anëtarët e tjerë, as te administratori i komunitetit.

Megjithatë, lidhja mes jush dhe postimit ruhet në sistem. Kjo është e nevojshme që platforma të mund të veprojë nëse një postim shkel rregullat: pa të, anonimiteti do të mbronte abuzimin në vend të njeriut që shtron një pyetje të vështirë.

Identiteti juaj mund të shihet vetëm nga ekipi i BSB-së, dhe vetëm nëse postimi raportohet dhe hyn në shqyrtim. Në asnjë rast tjetër nuk konsultohet dhe nuk u zbulohet palëve të treta.

2.5 Adresa juaj IP

Adresa IP është numri me të cilin pajisja juaj lidhet me internetin. E përdorim vetëm për këto qëllime:

Siguria e llogarisë dhe e platformës. Kur hyni, adresa ruhet bashkë me sesionin, që të shihni pajisjet ku jeni të kyçur dhe t'ju njoftojmë kur dikush hyn nga një pajisje e re. E përdorim gjithashtu për të zbuluar dhe ndaluar abuzimet, si përpjekjet për hyrje të paautorizuar.

Reklamat. Nga adresa nxjerrim vetëm shtetin dhe rajonin, për të zgjedhur reklamat e blera për atë zonë. Kjo bëhet në çast: adresa nuk ruhet për këtë qëllim, nuk ndërtohet profil, dhe nuk i dërgohet askujt. Shteti dhe lloji i pajisjes (telefon, kompjuter ose aplikacioni) numërohen gjithashtu në statistika ditore të përmbledhura për çdo reklamë dhe çdo promovim, që pronari të shohë nga cilat shtete dhe në cilat pajisje u pa reklama ose promovimi i tij. Këto numra nuk përmbajnë adresë IP dhe asnjë të dhënë që identifikon një person.

Nuk e përdorim adresën IP për t'ju gjurmuar ose për marketing, dhe nuk ua shesim apo japim palëve të treta. Baza ligjore është interesi legjitim: siguria e platformës dhe financimi i saj me reklama. Mund të kundërshtoni sipas pikës 7.

Gjeolokacioni nga DB-IP, licencë CC BY 4.0.

2.6 Bizneset nga burime të hapura

Para se një biznes të regjistrohet në BSB, mund ta kemi në një listë të brendshme me të dhëna nga burime të hapura publike: Overture Maps, OpenStreetMap, Foursquare Open Source Places, Wikidata dhe regjistrat publikë të bizneseve.

Mbajmë vetëm atë që duhet për profilin: emrin, kategorinë, adresën, qytetin dhe vendndodhjen në hartë, telefonin, email-in, faqen e internetit, rrjetet sociale, orarin dhe numrin e regjistrit (NIPT). Këto të dhëna nuk shfaqen publikisht — as në faqe, as në kërkim, as në Google — derisa pronari ta marrë profilin.

Pse: t'i ofrojmë pronarit profilin e biznesit falas. E ftojmë me SMS, WhatsApp ose email — një ftesë dhe më së shumti një kujtesë. Çdo mesazh ka një lidhje personale, ku pronari mund ta marrë profilin ose të zgjedhë "Mos më kontaktoni". Baza ligjore është interesi legjitim (pika 3c).

"Mos më kontaktoni": nuk ju kontaktojmë më. Telefonin dhe email-in i mbajmë edhe si gjurmë të koduar (hash), që të mos ju kontaktojmë sërish edhe nëse i gjejmë në një burim tjetër.

Afati: nëse pronari nuk përgjigjet, të dhënat e kontaktit fshihen 12 muaj pas mesazhit të fundit; pas "Mos më kontaktoni", 12 muaj pas kërkesës. Mbeten vetëm emri, qyteti, një kod i brendshëm dhe, pas "Mos më kontaktoni", gjurma e koduar.

Fshirja: na shkruani në contact@botashqiptarebiznesit.com. Fshijmë telefonin, email-in, adresën, faqen, rrjetet sociale, orarin dhe NIPT-in. Mbajmë vetëm emrin, qytetin, një kod të brendshëm dhe gjurmën e koduar të telefonit e të email-it — që biznesi të mos rishtohet nga burimet dhe të mos kontaktohet më.

Kur e merrni profilin, ai bëhet profili juaj dhe vlen pjesa tjetër e kësaj politike. Burimet e para të të dhënave përmenden në faqen e biznesit, siç e kërkojnë licencat e tyre.

3. Pse i Përpunojmë (Baza Ligjore — Ligji 124/2024, Neni 6 / GDPR Art. 6)

a) Ekzekutimi i kontratës: Krijimi i llogarisë, ofrimi i shërbimeve të platformës.

b) Pëlqimi juaj: Cookies analitike dhe matja jonë e vizitave (pika 2.2).

c) Interes legjitim: Mbrojtja nga mashtrimi, siguria e platformës, parandalimi i abuzimit, përmirësimi i shërbimit, zgjedhja e reklamave sipas zonës (pika 2.5), ftesa drejtuar pronarit të një biznesi nga burime të hapura (pika 2.6), përmbledhjet me email për aktivitetin në platformë (mund t'i fikni te Paneli → Preferencat). Kjo bazë mbulon edhe ruajtjen e lidhjes mes autorit dhe një postimi anonim në komunitete: pa të, platforma nuk do të kishte asnjë mënyrë të përgjigjej ndaj një raportimi (shih pikën 2.4).

d) Detyrim ligjor: Përmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i zbatueshëm, urdhëra gjyqësorë.

Nuk përpunojmë kategori të veçanta të të dhënave personale (të dhëna sensitive) sipas nenit 9 të ligjit — si të dhëna shëndetësore, bindje politike ose fetare, apo të dhëna biometrike. Nëse i jepni vullnetarisht në përmbajtjen që publikoni, ato bëhen publike me përgjegjësinë tuaj.

4. Me Kë i Ndajmë

NUK I SHESIM KURRË TË DHËNAT TUAJA.

Të dhënat ndahen vetëm me ofrues që na duhen për funksionimin e platformës, dhe vetëm aq sa u nevojitet për shërbimin që na ofrojnë:

  • Infrastruktura: serverët, ruajtja e të dhënave dhe shpërndarja e fotove e videove
  • Shërbime ndihmëse: përshpejtimi i faqes dhe mbrojtja ndaj sulmeve të automatizuara
  • Shërbimi i email-it, për verifikimin e llogarisë dhe njoftimet
  • Shërbimet e mesazheve (SMS, WhatsApp), vetëm për ftesën drejtuar pronarit të një biznesi nga burime të hapura (pika 2.6)
  • Shërbimi i hartave, kur një faqe shfaq vendndodhjen e një adrese
  • Shërbimi i hyrjes me llogari të jashtme, vetëm kur e zgjidhni ju
  • Shërbimi i analitikës, vetëm me pëlqimin tuaj

Si në çdo faqe interneti, adresa juaj IP u bëhet e dukshme edhe ofruesve që na ndihmojnë ta shërbejmë platformën, si për ruajtjen e të dhënave, shpërndarjen e fotove dhe videove apo dërgimin e email-eve. Kur një faqe shfaq një hartë, ose kur zgjidhni të hyni me një llogari të jashtme, ofruesi i atij shërbimi e sheh adresën tuaj. Shërbimi i analitikës e sheh vetëm me pëlqimin tuaj.

Administratorët e komuniteteve janë përdorues si ju, jo punonjës të BSB-së. Ata shohin emrat e anëtarëve dhe përmbajtjen e komunitetit që drejtojnë, por nuk kanë akses te identiteti i autorëve të postimeve anonime — as kur i fshehin ato nga publiku.

5. Transferimi Ndërkombëtar i të Dhënave

Baza e të dhënave të platformës ndodhet në Bashkimin Evropian. Meqë BSB është e vendosur në Republikën e Shqipërisë, kjo përbën transferim ndërkombëtar sipas ligjit nr. 124/2024. Vendet e Bashkimit Evropian ofrojnë një nivel mbrojtjeje të njëjtë me atë të ligjit shqiptar.

Disa ofrues ndihmës mund t'i përpunojnë të dhënat edhe jashtë BE-së, kryesisht në Shtetet e Bashkuara. Në këto raste transferimi mbështetet në garanci të njohura nga ligji, si vendimi i BE-së për përshtatshmërinë e transferimeve drejt SHBA-së (EU-US Data Privacy Framework) ose klauzolat standarde kontraktuale.

Nuk i shesim dhe nuk ua japim të dhënat tuaja palëve të treta për qëllime marketingu.

6. Sa Kohë i Ruajmë

  • Llogaria aktive: Derisa ekziston llogaria juaj
  • Pas fshirjes së llogarisë: Të dhënat personale fshihen ose anonimizohen; disa të dhëna teknike (regjistra sigurie) mbahen për një periudhë të kufizuar për qëllime ligjore dhe sigurie
  • Sesionet e kyçjes, bashkë me adresën IP dhe pajisjen: Deri në 90 ditë; pas çkyçjes fshihen brenda një jave
  • Pajisjet e njohura (për njoftimin e hyrjeve nga pajisje e re): Sa kohë ekziston llogaria
  • Regjistrat teknikë dhe të sigurisë: Deri në 12 muaj
  • Të dhëna që kërkohen ligjërisht: Sa kohë e parashikon ligji përkatës
  • Autorësia e postimeve anonime: Sa kohë ekziston vetë postimi. Nëse postimi fshihet ose llogaria juaj mbyllet, fshihet edhe lidhja
  • Ndërveprimet me përmbajtjen: Deri në 6 muaj në formë të papërpunuar; pas kësaj mbeten vetëm numra të përmbledhur pa lidhje me ju
  • Matja e vizitave të faqeve: Deri në 6 muaj në formë të papërpunuar; pas kësaj mbeten vetëm totale ditore për faqe
  • Bizneset nga burime të hapura: Derisa pronari ta marrë profilin ose të kërkojë fshirjen. Nëse nuk përgjigjet, të dhënat e kontaktit fshihen 12 muaj pas mesazhit të fundit; pas "Mos më kontaktoni", 12 muaj pas kërkesës, dhe mbetet vetëm gjurma e koduar, që të mos kontaktohet më (pika 2.6)

7. Të Drejtat Tuaja (Ligji 124/2024, Nenet 13-22 / GDPR Art. 15-22)

  • Informimi: Ky dokument është përmbushja e atij detyrimi
  • Aksesi: Mund të eksportoni të dhënat tuaja nga Paneli → Preferencat → Eksporto të dhënat
  • Korrigjimi: Mund të modifikoni profilin tuaj në çdo kohë
  • Fshirja: Mund të fshini llogarinë tuaj nga Paneli → Preferencat
  • Kufizimi i përpunimit: Mund të kërkoni kufizim duke na kontaktuar
  • Portabiliteti: Eksport në format të strukturuar (JSON)
  • Kundërshtimi: Mund të kundërshtoni përpunimin duke na kontaktuar. Për shfaqjen e emrit tuaj te statistikat e të tjerëve, mjafton opsioni te Paneli → Preferencat (pika 2.3). Për një biznes nga burime të hapura, mjafton lidhja "Mos më kontaktoni" në mesazh (pika 2.6)
  • Tërheqja e pëlqimit: Mund ta tërhiqni në çdo kohë nga lidhja "Cilësimet e cookies" në fund të faqes, pa ndikuar në ligjshmërinë e përpunimit para tërheqjes

Kontakt për çdo kërkesë: contact@botashqiptarebiznesit.com — përgjigjemi brenda 30 ditësh. Nëse kërkesa është e ndërlikuar, afati mund të zgjatet dhe ju njoftojmë për arsyen.

Ushtrimi i këtyre të drejtave është falas. Vetëm në rastin e kërkesave dukshëm të pabaza ose të përsëritura mund të kërkojmë një tarifë të arsyeshme ose të refuzojmë, duke shpjeguar arsyen.

7.1 E drejta për ankesë

Nëse mendoni se përpunimi i të dhënave tuaja shkel ligjin, keni të drejtë të ankoheni te autoriteti mbikëqyrës:

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Rr. "Abdi Toptani", Nd. 5, Tiranë, Shqipëri
www.idp.al · info@idp.al

Ankesa te Komisioneri nuk kërkon që të na kontaktoni së pari — por një kërkesë drejtuar nesh zgjidhet zakonisht më shpejt.

8. Vendimmarrja e Automatizuar

Nuk marrim vendime të bazuara vetëm në përpunim të automatizuar që sjellin efekte juridike ose ju prekin ndjeshëm.

Platforma përdor renditje automatike për të shfaqur përmbajtje (p.sh. cilat postime ose oferta dalin të parat). Kjo nuk përcakton akses, çmim apo të drejta, dhe nuk përbën profilizim sipas nenit 22 të ligjit.

9. Mbrojtja e të Miturve

Platforma nuk është për persona nën 18 vjeç. Duke krijuar llogari, me email ose me një llogari të jashtme, përdoruesit konfirmojnë që kanë mbushur 18 vjeç. Nëse zbulojmë se një llogari i përket një personi nën 18 vjeç, e fshijmë menjëherë. Nëse jeni prind/kujdestar dhe mendoni se fëmija juaj është regjistruar pa pëlqimin tuaj, na kontaktoni menjëherë.

10. Siguria (Ligji 124/2024, Neni 28 / GDPR Art. 32)

Përdorim masa sigurie të përshtatshme teknike dhe organizative për mbrojtjen e të dhënave: enkriptim gjatë transmetimit, fjalëkalime të ruajtura në formë të pakthyeshme, kontroll të aksesit, mbrojtje ndaj sulmeve dhe regjistrim të veprimeve kritike. Për arsye sigurie nuk publikojmë detaje teknike të infrastrukturës sonë.

11. Cenimi i të Dhënave (Ligji 124/2024, Nenet 29-30 / GDPR Art. 33-34)

Në rast cenimi të të dhënave personale, njoftojmë Komisionerin sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se 72 orë pasi marrim dijeni, përveç kur cenimi nuk ka gjasa të rrezikojë të drejtat dhe liritë tuaja.

Nëse cenimi ka gjasa të sjellë rrezik të lartë, ju njoftojmë edhe ju drejtpërdrejt, pa vonesë, duke përshkruar natyrën e cenimit dhe masat që kemi marrë.

Mbajmë regjistër të brendshëm të çdo cenimi, siç e kërkon ligji.

12. CCPA/CPRA (Kaliforni)

Për banorët e Kalifornisë: NUK i shesim të dhënat tuaja personale. Keni të drejtën e aksesit, fshirjes, korrigjimit dhe mos-diskriminimit. Kontakt: contact@botashqiptarebiznesit.com

13. Ndryshimet

Për ndryshime thelbësore të kësaj politike ju njoftojmë paraprakisht, me email ose me njoftim në platformë. Versionet e kaluara mbahen për referencë.

Kushtet e Përdorimit | Politika e Cookies | Fshirja e Llogarisë | | Kthehu në Kryefaqe